Më kujtohet dikur kam lexuar se disa njerëz flasin shumë me qëllim që të fshehin mendimet e tyre, por në bazë të eksperiencës sime kam mësuar se shumë të tjerëve u flet gjuha para mendjes.
Biseda e një tregëtari duhet ti nënshtrohet rregullave më të pakta dhe më të thjeshta se çdo veprimtari tjetër e qenjes njerëzore. Këto rregulla janë:
Të kesh diçka për të thënë.
Thuaj vetëm atë që duhet thënë.
Bjeri shkurt.
Të fillosh të flasësh pa ditur se çfarë do të thuash dhe vazhdimi i mëtejshem i kësaj bisede pa kuptim e çon tregëtarin në gjyq ose në falimentimin e tij të plotë.Veprimi i parë është rruga më e shkurtër që të çon në veprimin e dytë. Kjo është dhe arsyeja që unë mbaj një degë ligjore e cila më kushton shumë, por më mbron nga problemet me ligjet.
Eshtë normale të flasësh gjatë kur merr në telefon një vajzë ose mbas darke të flasësh me shokët për të diskutuar rreth shëtitjeve të organizuara nga shkolla e së djelës me disa ndalesa për të mbledhur lule, por në zyrë duhet të flasësh pak dhe saktë. Lëri mënjanë hyrjet dhe mbylljet e zbukuruara dhe mendohu para se të kalosh në çështjen tjetër të bisedës. Fol shkurt dhe pa moralizime po qe se do të fitosh; edhe predikuesit vetë nuk besojnë në predikimet e gjata. Hapu rrugë budallenjve dhe dëgjo se çfarë thonë gratë. Përqëndrohu tek pjesa më e rëndësishme, tek thelbi i problemit. Sigurisht pak lajka aty këtu nuk të prishin punë, sidomos kur ke të bësh me njerëz që u pëlqejnë ato.
Gjithashtu asnjëherë mos harro se është më e lehtë të paraqitesh si i zgjuar se sa të flasësh me zgjuarsi. Fol më pak se bashkëbiseduesi dhe dëgjo më shumë se ç’flet, sepse kur dëgjon dhe nuk tregon asgjë për vete e bën personin tjetër të besoj se ai di gjithçka. Jepuni burrave kohë për t’i dëgjuar me kujdes dhe grave mundësinë për t’u shprehur me shkrim dhe ju do të mësoni çdo gjë që ata dinë. Paraja flet, por vetëm atëhere kur të zotit të parave i zgjidhet gjuha dhe në këto rast komentet e tij janë ofenduese. Edhe varfëria flet, por askush nuk ja vë veshin.